Policia apelon te qytetarët të mos aplikojnë për viza me dokumente të falsifikuara

Prishtinë-Policia e Kosovës njoftoi të premten se ka pranuar një numër të konsiderueshëm të lëndëve për hetim të dërguara nga ambasadat që ndërlidhen me veprimet e qytetarëve gjatë aplikimit për pajisje me viza, me dokumente të falsifikuara.

Sipas njoftimit, disa nga dokumentet e falsifikuar më së shpeshti janë certifikatat e gjuhës gjermane, dokumenti i Trustit – kursimeve pensional si dhe dokumenti i pasqyrës bankare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Referuar kësaj, Policia ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e personave të pandërgjegjshëm dhe të marrin mbi vete përgjegjësinë e prezantimit të dokumenteve të falsifikuara tek institucionet përkatëse.

“Në këtë mënyrë bien ndesh me ligjin dhe kryejnë vepër penale për të cilën do të japin përgjegjësi para organeve të drejtësisë. Identifikimi i dokumenteve të tilla është lehtë i zbatueshëm dhe se asnjë person me dokumente të tilla nuk mund të kalojë në asnjë ambasadë dhe si pasojë personat të cilët bëjnë një shkelje të tillë bartin me vete pasojat si:

Regjistrohen në ambasada se të njëjtit kanë aplikuar me dokument të falsifikuar dhe mund të kenë pasoja në të ardhmen për udhëtime jashtë vendit dhe pasojat ligjore të cilat parashihen me Kod Penal për falsifikim të dokumentit”, thuhet në komunikatën për media.

Për rastet e lartcekura sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës është e përcaktuar vepra penale:

Neni 390

Falsifikimi i dokumenteve

– Kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet.