PENSIONOHET ISA HASANAJ, PROFESORI QË I DHA FORMËN MË TË MIRË PUNËS SË MËSIMDHËNËSIT

Shkruar:Imer Pantina

Sot (08. 10. 2021) u pensionua profesori i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe Isa Hasanaj. Rrugëtimi i tij në shërbim të arsimimit të shumë brezave fillon që në rininë e tij, në vitin 1977, ende pa mbushur 21 vjet, në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” paralelja në Kijevë, atëherë kur diplomon në Fakultetin e Filologjisë dhe dijet e fituara do t’i përvetësoj edhe më tej bashkë me shumë nxënës të tij, të cilët të inspiruar nga profesor Isa sot japin kontribut në të gjitha institucionet e shtetit tonë.

Profesor Isa u lind në Gllarevë dhe rrjedh nga një familje e shkolluar dhe intelektuale që dha shumë për arsimin (dy vëllezërit e tij Muslia dhe Qazimi tashmë janë veteranë të arsimit, të dy të pensionuar) si dhe punën dhe kontributin e tij si drejtor i Shkollës e vazhdon djali i vëllaut Uran Hasanaj.

Profesor Isa punoi në sisteme të ndryshme nëpër të cilat kaloi Kosova, por, gjithnjë puna e tij intelektuale ishte në shërbim të së vërtetës, në shërbim të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Gjatë karrierës së tij me vite fitoj çmimin “Mësimdhënës i dalluar”.

Profesor Isa punoi edhe atëherë kur shkollës shqipe iu ndal financimi dhe u bë pjesë e mbijetesës duke u dhënë dije nxënësve të tij edhe në kushtet e okupimit, në Shtëpitë – Shkolla.

Profesor Isa do ta ndërprej punën e tij si mësimdhënës dhe ta lëshoj ditarin nga dora vetëm një në një rast në jetën e tij, atëherë kur në vend të ditarit kapi pushkën dhe iu desht të ishte luftëtar i lirisë, duke iu bashkuar UÇK-së bashkë me shumë koleg dhe nxënës e ish nxënës të tij, duke ndjekur rrugën nxënësve të tij (sot dëshmorë) si Shefqet Hasanaj, Mehedin Morina, Mujë Krasniqi,Beqir Gashi, Mirush Daka, Milazim Balaj etj.

Por, përsëri pas luftës iu rikthye arsimit.
Mbajti për afër një dekade edhe postin e drejtorit të shkollës fillore “Ramiz Sadiku” ndryshuar gjatë kohës së tij në “Dëshmorët e Qëndresës” në Gllarevë ku punoi ndershmërisht dhe e udhëheqi shkollën me parimet e barazisë,i rreptë ndaj mospunës, larg ndikimeve dhe udhëzimeve politike. Gjatë punës së tij si drejtor, shkolla “Dëshmorët e Qëndresës”, ishte në kulmin e sukseseve, me pjesëmarrje në garat e ndryshme në Kosovë me nxënës të dalluar dhe kështu ai fitoj epitete të pashlyeshme që i gëzon edhe sot e asaj dite nga bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që patën rastin të punojnë me të, gjithashtu kontributin e tij në ndërtimin e objektit të ri të Shkollës menjëherë pas luftës.

Vitet e fundit të punës i kaloi në Shkollën e Mesme Profesionale “Fehmi Agani” në Klinë ku tregoi profesionalizëm, përvojë të mirëfilltë intelektuale dhe përgjegjësi morale. Profesor Isa edhe pas pensionimit do të vazhdoj kontributin e tij me përvojën dhe bagazhin e tij të madh prej intelektuali. Shëndet dhe jetë të gjatë profesor i nderuar!

Me punën tuaj ke bërë krenarë të gjithë ata që të njohën.

SHARE