Pensionistët protestuan para Kuvendit, kanë dy kërkesa për ligjvënësit – FOTO

Me pankartat me mbishkrim “Dinjitet për pensionistët” dhe buqeta lulesh në duar, dhjetëra pensionistë kanë dalë para dyerve të Kuvendit të Kosovës për të protestuar.

Protestuesit po kërkojnë nga deputetët që të eliminohet obligimi që pensionistët të lajmërohen çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë.

Ndër kërkesat e tyre hyn edhe ndarja e subvencioneve për çdo muaj nga Qeveria për pensionistët, deri në rritjen e pensioneve.

Xhevdet Pozhari, organizator i këtij aksioni ka përmendur kërkesat që i kanë pensionistët.

“Me këtë aksion simbolik kemi dy kërkesa; Largimin e kushtit që cdo gjashtë muaj të lajmërohen që janë gjallë dhe dinjitet për pensionistët në kuptimin e subvencionimit të pensionistëve. Në shesh kemi dalë për të dorëzu broshura dhe lule”- tha Pozhari.

Ndërkaq, Njazi Gashi kryetar i Lidhjes së Pensionistëve, tha se ky është aksion simbolik përmes të cilit kërkojnë që të realizohen kërkesat e tyre.

“Shoqëria ka tregu neglizhence dhe mohim tonin si qenie. Kemi kontribu për këtë kohë e sot jo që nuk na realizohen të drejtat por na mohohet edhe qasja në oborrin e Kuvendit për të ju ofruar lule dhe broshura deputetëve”- tha Gashi.

SHARE