Parandalohen dy raste të kontrabandës me mallra në Veri – sekuestrohen ushqim, pije e duhan

Policia Kufitare ka parandaluar dy raste të kontrabandës me mallra në pjesën veriore të vendit dhe ka shoqëruar në stacion policor dy të dyshuar.

Përmes një njoftimi për media, Policia bën të ditur se rasti i parë është identifikuar në Leposaviq, ku në një veturë që po drejtohej nga një kosovar dhe e cila kishte hyrë nga Serbia në territorin e Kosovës, janë gjetur mallra të ndyrshme ushqimore dhe pije pa dokumentacion.

“Në Leposavic, me 21.03.2024, në 21:50 njësia policore ka ndaluar një veturë që drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar i cili kishte hyrë nga Serbia në Republikën e Kosovës përmes rrugëve dytësore ku kishte të ngarkuara mallra të ndryshme (ushqimore dhe pije) për të cilat nuk posedonte dokumentacion. Në konsultim me prokurorin vetura dhe malli i janë dorëzuar doganës ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në magjistralen nga Jarinja në Leshak, është ndaluar një veturë, ku është gjetur dhe sekuestruar duhan i kontrabanduar.

“Në magjistralen nga Jarinja ne Leshak, më 21.03.2024, është ndaluar vetura pikap me drejtues L.S., 23 vjeçar, gjatë kontrollit të veturës është vërejtur se ishte i mbushur me duhan. Policia në koordinim me organet e drejtësisë dhe doganën e ka trajtuar këtë rast”, njofton Policia.