Kurti para dorëzimit të propozimeve: Nuk mund të ndërhyjmë te plani i BQK-së e as te rregullorja e aprovuar

Sot është afati i fundit për t’i dorëzuar propozimet për përdorimin e dinarit serb në Kosovë, ndërsa javën e ardhshme Kosova dhe Serbia do të takohen sërish në Bruksel për diskutimin e opsioneve. Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u pyet për qëndrimin e Qeverisë, e cila lëvizi nga deklaratat që i dha fillimisht për takimet lidhur me dinarin, raporton Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për televizionin publik, Kurti të enjten tha se Qeveria është e gatshme të ndihmojë ku ka nevojë gjatë zbatimit, por nuk ndërhyjnë te plani i BQK-së e as te rregullorja e aprovuar.

“Ne nuk mund të garantojmë çka do të flasë ndërmjetësi ose çka do të flasë pala tjetër, edhe nuk pajtohemi nëse është në shpërputhje me Kushtetutën dhe ligjin tonë dhe në këtë rast ne jemi përpjekur me gjithë fuqinë tonë të respektojmë rendin republikan të Kosovës së pavarur që do të thotë ta mbajmë Bankën Qendrore të Kosovës edhe përpara edhe nga lartë. Ne jemi të gatshëm që teksa zbatohet plani 10 pikësh për tranzicion 3 mujor nga BQK-ja, nëse ka pasoja që mund t’i adresojnë ministritë tona për komunitetin serb, këtë do ta bëjmë me shumë dëshirë, por nuk mund të ndërhyjmë as tek plani i BQK-së për zbatim e as tek rregullorja që tashmë është aprovuar. Nëse ka nevojë ndonjë serb i moshuar që të ndihmohet deri tek filan banka jemi shumë të gatshëm”, tha Kurti.

Ndryshe, të martën ishte hera e parë që zyrtarë të Qeverisë së Kosovës morën pjesë në bisedime të tilla, prej kur u ndalua përdorimi i dinarit serb, duke e bërë euron mjet të vetëm pagese.

Çështja e dinarit ka nxitur mospajtime edhe mes Qeverisë Kurti dhe ndërkombëtarëve, që pasuan me deklarata të ashpra sidomos për raportet Kosovë – SHBA.

Megjithatë, kryeministri Kurti po vazhdon të insistojë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë “shumë të mira”.