OVL UÇK në Klinë, përkujton dëshmorin Ramiz Racin në 26 – vjetorin e rënies heroike

Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Klinë, kryetari Hajdin Balaj, së bashku me familjen Raci, ka përkujtuar me nderim dhe respekt të thellë dëshmorin e kombit, Ramiz Raci, në 26-vjetorin e rënies së tij heroike.

Ramiz Raci, i lindur më 10 nëntor 1979 në fshatin Jelloc të Klinës, ishte një nga ushtarët më të rinj që iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I edukuar në frymën e atdhedashurisë dhe i përkushtuar me shpirt të pastër për çlirimin e vendit, Ramizi dha një kontribut të çmuar në radhët e UÇK-së, pa iu trembur syri asnjëherë përballë rrezikut.

Më 7 qershor 1999, pak ditë para çlirimit të vendit dhe ende pa i mbushur 20 vjet, Ramizi ra heroikisht në mbrojtje të atdheut, duke u bërë një simbol i sakrificës për lirinë që ne sot e gëzojmë.

“Kujtimi për dëshmorin Ramiz Raci është i gjallë në zemrat tona. Përkulemi me nderim e krenari para veprës së tij dhe të gjithë dëshmorëve të kombit. Amaneti i tyre na obligon që të punojmë për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për brezat që vijnë”, u shpreh kryetari i OVL-UÇK-së në Klinë, Hajdin Balaj.

Përkujtimi u zhvillua në një atmosferë solemne, me praninë e familjarëve, bashkëluftëtarëve dhe qytetarëve, të cilët ndanë kujtime për heroin e rinisë shqiptare dhe vlerësuan lart guximin dhe flijimin e tij për lirinë e Kosovës.