Javë e kobshme, shtatë viktima në aksidente trafiku në Kosovë

Shtatë persona kanë humbur jetën gjatë kësaj jave në aksidente trafiku në Kosovë.

Të mërkurën mbrëma vendi u trondit nga një aksident i rëndë në rrugën Ferizaj-Shtime që u mori jetën katër personave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Arlind Isufaj, 21-vjeçar, Metush Isufaj, Mergim Behluli, 23-vjeçar dhe Armend Muhadini, 39-vjeçar, janë viktimat e këtij aksidenti të rëndë në orët e natës së të mërkurës.

Sipas Policisë, deri te aksidenti dyshohet se ka ardhur kur drejtuesi i njërës nga veturat për arsye deri më tani të pa njohura, humb kontrollin mbi veturë dhe godet dy veturat tjera të cilat ishin duke lëvizur në drejtim të kundërt.

Në aksident kanë qenë të përfshirë edhe një grua shtatzënë me burrin e saj. Shtatzëna ndodhet në trajtim në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra.

Një aksident tjetër i rëndë ndodhi edhe gjatë ditës së djeshme në fshatin Hodonoc të Kamenicës. Fillimisht në këtë aksident të rëndë mbeti i vdekur një person. Viktima ishte një 33 vjeçar.

Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të lënduar edhe tre persona të tjerë, të cilët u dërguan për trajtim mjekësor. Në mesin e të lënduarve ishte edhe një foshnjë gati 1 vjeçare, e cila nuk u mbijetoi plagëve dhe vdiq gjatë ditës së sotme.

Lajmin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

Hashani ka bërë të ditur se trupi i pajetë i fëmijës është dërguar për obduksion.

“Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan sot me datën 25.02.2023 ka pranuar informatën se në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë si pasoj e plagëve të marra nga aksidenti i ndodhur dje me datën 24.02.2023 në fshatin Hodonoc ka ndërruar jetë edhe një fëmijë i moshës rreth një-vjeçare. Trupi i pajetë i viktimës me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në Institutin e mjekësisë ligjore për obduksion”, ka thënë Hashani.

Në rrethana tejet tragjike gjatë ditës së djeshme ka vdekur edhe një person në Deçan.

Policia e Kosovës sot njoftoi për një vetaksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Rastavicë të Deçanit.

Sipas policisë deri te vetaksidenti ka ardhur derisa i vozitësi ishte duke qarkulluar në rrugën Gjakovë-Deçan, i njëjti duke mos ju përshtatur shpejtësisë, humb kontrollin del nga rruga.

Viktima kishte dalur nga vetura dhe gjatë kalimit të rrugës në kursin nga drejtimi i Gjakovës dhe në atë moment goditet nga nga një veturë e cila ishte në lëvizje nga drejtimi i Gjakovës.

Viktima dërgohet në Spitalin Rajonal në Gjakovë e më pastaj për shkaqe të natyrës së
lëndimeve është dërguar për në QKUK – Prishtinë.

I njëjti më vonë ka ndërruar jetë.

Sipas raportimeve bëhet fjalë për Bilall Hadergjonajn, i cili ishte kandidat i VV-së për zgjedhjet për kryetar të komunës së Deçanit në vitin 2013.

Për vdekjen e tij kanë reaguar shumë figura publike, përfshirë kreun e AAK-së, Ramush Haradinajn, kryetarin e Deçanit, Bashkim Ramosaj e ish-kryetari, Rasim Selmanaj. /Reporteri.net/