Osmani i drejtohet me letër kryesisë së LDK-së, kërkon listën e votave që e shkarkuan

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas shkarkimit të saj nga të gjitha pozitat brenda kësaj partie.

Përmes kësaj letre, Osmani ka kërkuar nga kryesia e LDK-së që t’ia dërgojnë asaj dokumentacionin dhe rezultatin e shkarkimit të saj.

“Duke qenë subjekt i procesit të votimit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së, përmes kësaj shkrese, kërkoj të më dërgoni gjithë dokumentacionin e lëndës së shkarkimit tim, përfshirë rezultatet e votimit dhe evidencën e votimit të të gjithë anëtarëve të KP të LDK-së”, thuhet ndër të tjera në letrën e Osmanit.

Konkretisht, Osmani ka kërkuar që t’i vihet në dispozicion lista e plotë e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, meqenëse e njëjta nuk është publikuar askund.

Osmani po ashtu ka kërkuar që t’i dorëzohet lista me emra të anëtarëve të cilët kanë votuar për, kundër ose që kanë abstenuar, si dhe emrat e anëtarëve që nuk kanë marrë fare pjesë në votim.