OAK letër kryeministrit në detyrë: Ndihmoni bizneset se janë duke falimentuar

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë, Avdullah Hotit.

Sipas njoftimit, përmes kësaj letre OAK kërkon nga qeveria që të zgjatet Udhëzimi Administrativ për Format Standarde të Sinjalizimit të Minierave së paku deri në ardhjen e Bordit të ri të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

OAK kërkon që të prolongohet Udhëzimi Administrativ Nr. 06/2019 për Format Standarde të Sinjalizimit të Minierave, së paku deri në ardhjen e Bordit të ri të KPMM-së, në mënyrë që mos të vie deri te falimentimi i bizneseve.

“Lidhur me këtë Udhëzim Administrativ të nxjerrë nga KPMM-ja, Oda e Afarizmit të Kosovës ka realizuar një takim me Drejtorin e KPMM-së, Ramiz Krasniqin dhe me bizneset anëtare të odës ku të njëjtit i kemi përcjellë edhe një shkresë, përmes së cilës kemi kërkuar që të mos kufizohet marrja e licencës për minim me vendosjen e rrethojave sipas standardeve si dhe të shtyhet afati i paraparë në Udhëzim për vendosje të rrethojave”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se pasi që i kanë dërguar një kërkesë me shkrim, KPMM i është përgjigjur duke thënë se për shkak të pandemisë COVID-19 ndërmarrjeve nuk i është kërkuar vendosja e rrethojave deri më 01 janar dhe më pas nuk ka afat tjetër.

Sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2019 përcaktohen katër forma të rrethojave, të cilat janë të skicuara në shtojcat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij Udhëzimi.

Sipas nenit 9, paragrafi 2 të këtij Udhëzimi parashihet që “Bartësitë e licencës/lejeve janë të obliguar që të bëjnë rrethimin dhe sinjalizimin e zonës së licencës/lejes më së largu deri më dt. 01.09.2020.

“Bizneset e sektorit minerar i kanë të rrethuara hapësirat edhe para hyrjes në fuqi të Udhëzimit Administrativ Nr.06/2019, mirëpo jo sipas standardeve të reja të parapara nga KPMM. Andaj, duke ditur se aktualisht jemi në situatë pandemie kërkohet mirëkuptimi nga ana juaj, ashtu që të ju lejohet një afat prej disa muajve, deri sa bizneset të rimarrin veten”, thuhet tutje.

Njëkohësisht, thuhet në reagim, ky Udhëzim po pengon bizneset e këtij sektori të përfitojnë lirimin nga renta minerare, i cili parashihet në nenit 14 të Ligjit 07/L- 016 për Rimëkëmbje Ekonomike nga COVID-19, pasi që aktualisht standardet e përcaktuara në këtë UA nuk i plotësojnë një pjesë e konsiderueshme e bizneseve.