Numërohen mbi 93 për qind e kutive në Shqipëri, Rama bën i vetëm qeverinë

Partia Socialiste e Edi Ramës ka marrë mbi 52 për qind të votave nga zgjedhjet e 11 majit në Shqipëri, pas numërimit të më shumë se 93 për qind të kutive të votimit.

Sipas shifrave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PS-ja ka siguruar 82 ulëse në Kuvendin me 140 deputetë.

Rezultatin më të mirë kjo parti e ka marrë në Tiranë, Fier, Durrës dhe Elbasan.

Koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike ka rënë në 51 mandate, ndërsa Partia Mundësia e Agron Shehajt e ka marrë një mandat në Qarkun e Tiranës.

PSD-ja e Tom Doshit ka marrë tri ulëse, ndërsa koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” dhe Lëvizja Bashkë kanë marrë nga një mandat.

Edi Rama dhe Partia Socialiste janë në pushtet që nga viti 2013.