Kurti pas takimit me diplomatët: Prioritet siguria e shtetit, diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht

Kryeministri Albin Kurti sot paradite priti në takim emisarët Mirosllav Lajçak e Gabriel Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë

Kryeministri Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.

Kurti i falënderoi për vizitën e përbashkët.

Ai theksoi që “prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit”.

“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftimin e Zyrë së tij.

Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars), njofton ZKM.

Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.

“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”.