Njëjtë si serbët në Kosovë: Ushtarët rusë plaçkitën gjëra me vlerë në Ukrainë, i dërgojnë te familjet e tyre në Rusi

Ushtarët rusë që po marrin pjesë në luftën e Ukrainës, përveç vrasjes së civilëve, po plaçkisin edhe pasuritë e familjeve atje, plaçka të cilat më pas përmes postave nga Bjellorusia po i dërgojnë te familjet e tyre. Për kosovarët kjo praktikë është e njohur, pasi njëjtë kishin vepruar edhe ushtarët e paramilitarët serbë gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë.

Ajo që tani është e dukshme, është se trupat ruse me sa duket po vjedhin gjithçka që u vjen në dorë në Ukrainë. Ushtarët tërhoqën qindra kilogramë mallra të vjedhura, duke i dërguar në Bjellorusi, dhe më pas në një zyrë postare atje për t’i dërguar në shtëpitë e tyre në Rusi, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Veprimet e ushtarëve rusë u zbuluan nga një grup i hakerave bjellorus, të cilët kanë publikuar një video-incizim tre-orësh të kamerave të sigurisë të një zyre postare në Bjellorusinë jugore, dhe të dhënat e transportit të 16 ushtarëve që po dërgonin plaçkën e luftës te familjet e tyre në Rusi.

Raportohet se përmes postës janë dërguar rreth 2 ton mallra. Video incizimet shfaqin ushtarët rusë në zyrat postare teksa ata ngarkojnë dërgesat e tyre.

Mallrat e vjedhura shpesh shkojnë në Siberi, një rajon i largët rus. Ushtarët e Putinit me sa duket me këto vjedhje plotësojnë pagat e tyre të ulëta, duke rrëmbyer gjithçka me vlerë që u del përpara.

Hakerët bjellorusë kanë publikuar edhe të dhënat e një pjese të ushtarëve dhe adresat e familjeve të tyre për ku ata i kanë nisur mallrat e vjedhura.

11 nga 16 ushtarët dërguan pakot e tyre në Rubtsovsk në Siberinë e thellë. Ata dërguan te familjet e tyre, karrige, televizorë, qindra kilogramë veshje, alkool, karta grafike të kompjuterëve e televizorë.

Një ushtar me emrin Yevgeny Kovalenko vodhi 450 kilogramë, pothuajse gjysmë toni. Ai kishte vjedhur vegla pune, altoparlantë, një tavolinë dhe një tendë. Një tjetër ushtar dërgoi pjesë këmbimi dhe një skuter elektrik për familjen e tij.
Në Siberinë më të thellë (Gornyak), në kufi me Kazakistanin, një ushtar dërgoi 60 kilogramë rroba, bateri dhe pjesë këmbimi për kompjuterë

SHARE