Sokol Bashota fton qytetarët e Klinës ta votojnë Esat Racin për kryetar

Ish-kryetari i Klinës, njëherit kryetari i degës së PDK në këtë komunë, Sokol Bashota me rastin e nisjes së fushatës zgjedhore ka postuar një shkrim në FB ku fton qytetarët ta votojnë Esat Racin.

Ky është postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Klinës, të nderuar anëtarë e simpatizantë të PDK-së, të nderuar miq të mi.

Nga dje Kosova ka hyrë në një fazë të re, ka hyrë në fazën e zgjedhjeve lokale. Pra, edhe përkundër pandemisë dhe shqetësimit për shëndetin e qytetarëve, një vëmendje dhe një fokusim më i shtuar është për zgjedhjet lokale në shkallë republike, e tek ne këtu në Klinë. T’ju flasë për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve jam i vetëdijshëm se nuk iu them ndonjë të re, sepse, gjithsecili nga ju dhe sidomos qytetarët e Klinës e dinë më së miri rëndësinë e tyre. E dinë më së miri për vet faktin se e kanë pësuar në kurrizin e tyre pasojën e votimit të gabuar për një parti , për shumë parti të gabuara(të një konglomerati qeverisës në Klinë) dhe gjithsesi pasojën e votimit të gabuar për një kryetar të gabuar, e që rezultoi edhe shumë i dështuar. Pra, me një adresim gabim të besimit e të votimit, Klina dhe qytetarët e saj i humben katër vite zhvillim dhe mirëqenie. Për katër vite në Klinë nuk është bërë asgjë e mirëfilltë dhe asnjë projekt domethënës në interes dhe në shërbim të qytetarëve. Për katër vite, Klinës i ka munguar kryetari autoritativ, sepse të tjerët kanë vendosur për punët e tij dhe në emër të tij. Pra, Klinës i ka munguar kryetari legjitim. Për gjithë këto vite, kjo qeverisje dhe ky kryetar janë vetëmburrur për shtrimin e disa km asfalt, rrugë këto të shtruara pa asnjë standard, ku për gjendjen e tyre sot e di më së miri qytetari ynë. Për këto vite nuk është ndërtuar asnjë shkolle, asnjë çerdhe, asnjë metër rregullim i lumenjve, asnjë objekt institucional e madje-madje nuk kanë mundur as t’i mirëmbajnë investimet që i kemi kryer ne me qeverisjen tonë, edhe për kaq punë kanë dështuar. Kjo qeverisje do të mbetet në mbamendjen e qytetarëve si qeveria më e keqe që kanë pasur ndonjë herë. Kjo qeveri qoftë e shkuar dhe e harruar tashmë dhe ky kryetar i shkuar e i harruar tashmë!
Të nderuar qytetarë, sot Dega e PDK-së në Klinë po hynë në këto zgjedhje lokale e mirë organizuar dhe me vullnetin për fitore. Dështakët u munduan ta ndalin këtë fitore të sigurt të PDK-së, duke më pamundësuar kandidimin tim si zgjidhje e vetme fituese e këtyre zgjedhjeve dhe alternativa më e mirë dhe e dëshmuar për qytetarët e Klinës. Por e kanë kot, sepse nuk mund të ndalin vullnetin e qytetarëve për alternativen e vetme të shpresës, fitoren e PDK-së. PDK do të përmbush kontratën me qytetarët e saj.
Të nderuar qytetarë, PDK, Dega në Klinë e ka nominuar kandidatin për kryetar të komunës, Esat Racin. Një aktivist nga themelimi i PDK-së, veteran i UÇK- së, dhe bartës i disa funksioneve ekzekutive e legjislative në vend.
Esat Raci, është kandidatura më e mirë që me 17 tetor iu ofrohet qytetarëve të Klinës për votim. Prandaj, të nderuar qytetarë, anëtarë e simpatizantë dhe struktura të PDK-së, të nderuar e shumë të respektuar miq, ta mbështetni kandidaturën e PDK-së, Esat Racin. T’i mbështetni dhe t’i votoni kandidatët për Kuvendin e Komunës nga radhët e PDK -së. Votoni PDK sepse është zgjedhja më e mirë.

Falë vullnetit dhe angazhimit tuaj, PDK është fituese e sigurt e këtyre zgjedhjeve. Nga dita e parë e fitores nuk do të kemi kohe as për të festuar, sepse punë të mëdha na presin. Unë, ju siguroj se do të jem mbështetës aktiv i pakursyer gjatë gjithë fushatës, deri në fitoren e PDK-së, dhe do të jem aktiv në vitet e ardhshme të qeverisjes sonë me Komunën si gjithnjë më parë. Do të jem aty ku është votuesi i PDK-së dhe aty ku është interesi i qytetarëve të mi klinas.

Të gjithë bashkë për Klinën! Dalshim faqebardhë!

SB