Florient Neziri rikthehet në ring – boksieri nga Drenasi synon fitore në Gjermani

Boksieri kosovar Florient Neziri, me prejardhje nga Drenasi që jeton e vepron në Gjermani, po rikthehet në ring pas një periudhe pauze, këtë herë më i fortë dhe më i përgatitur se kurrë.

Neziri, i cili njihet edhe si kampion në kickboks, do të jetë pjesë e eventit të madh të boksit “Ring of Fire 22”, ku do të përballet me kundërshtarin Patrick Pinkernell. Ndeshja do të zhvillohet më 16 maj në Rathausplatz 1, në Gjermani.

Sipas babit të tij dhe mbështetësve të tij, rruga e tij në sport nuk ka qenë e lehtë, e mbushur me sakrifica, lodhje dhe sfida të shumta.

Megjithatë, Florienti nuk është ndalur asnjëherë dhe rikthimi i tij në ring shihet si një moment i rëndësishëm në karrierën e tij.

“Rikthehet më i fortë, më i pjekur dhe me të njëjtin shpirt luftarak që nuk dorëzohet kurrë”, thuhet në njoftimin e babit të tij.

Ky event pritet të tërheqë vëmendje të madhe, ndërsa bashkëatdhetarët në diasporë dhe në Kosovë pritet ta mbështesin fuqishëm boksierin në këtë sfidë të rëndësishme.