Nisin përgatitjet për Festivalin Folklorik “I këndojmë Lirisë”

Nisin përgatitjet për Festivalin Folklorik “I këndojmë Lirisë”

Në Klinë kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e Festivalit Folklorik “I këndojmë Lirisë” , i cili mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor të këtij viti. Sivjet është edicioni i 24-të, në të cilin marrin pjesë ansamble, grupe folklorike, rapsodë, valltarë e instrumentistë nga të gjitha trojet shqiptare. Në mbledhjen e Këshillit organizativ u zgjodhën edhe organet drejtuese të festivalit. Drejtor i festivalit u zgjodh Alban Gashi, drejtoria artistike në përbërje Halit Gashi drejtor dhe antarët Daut Gashi dhe Fatmir Berisha, zëdhënës i festivalit Enver Maloku si dhe trupat tjerë punues. Festivali si edhe viteve të tjera mbështetet nga komuna e Klinës dhe në përkujdesje të kryetarit të Komunës, Prof.Dr. Zenun Elezajt. Edhe sivjet botohet revista “Lyra” nga gazetarët Enver Maloku, kryeredaktor, Sadri Haxhaj, redaktor dhe Bedri Morina, lektor. Drejtori komunal i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Lorenc Marku, theksoi se përgatitje për organizimin e festivalit kanë filluar edhe më herët, në mënyrë që festivali të organizohet sa më mirë. Ndërkaq, zëvendës kryetari i Komunës së Klinës, Fadil Gashi tha se komuna është e përkushtuar në të gjitha aspektet për festivalin Folklorik “I këndojmë Lirisë”, duke ofruar kushte sa më të mira për të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë tri ditëve, sa mbahet festivali organizohen edhe aktivitete të tjera, të cilat e begatojnë këtë manifestim folklorik gjithëkombëtar. Festivali nis në Çabiq, në vendlindjen e Mujë Krasniqit. Drejtori i posa zgjedhur, Alban Gashi, pasi që falënderoj për besimin e dhënë, theksoi se të jesh drejtor i këtij festivali, pos që është nder dhe konsideratë, njëkohësisht është edhe përgjegjësi e madhe duke pas parasysh karakterin e festivalit. Ndaj, do të punojmë me përkushtim të madh që festivali, si deri tash të organizohet sa më mirë. Ai njoftoi edhe për procedurat e nevojshme tenderuese që duhet të kryhen. Shumica prej tyre tashmë janë kryer.