Nga neglizhenca e drejtorit të inspektoratit në Klinë, helmohen banorët e Caravikut. Kërkohet shkarkimi i tij.(VIDEO)

Papërgjegjësia e drejtorit të Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Klinës, Petrit Bekaj, ka bërë që rreth 200 banorë të fshatit Caravik të gjejnë burime alternative të ujit të pijshëm, pasi uji në 20 puset e hapura me investime vetanake, tash e dy vite nuk mund të pihet pasi paraqet rrezik për helmim.

Një qytetarë nga fshati Caravik ka dërguar në redaksinë e klinainfo një video ku shihet kanalizimi, i cili ka dalë jashtë gypave dhe përveç që ka dëmtuar në masë të madhe edhe rrugën kryesore të fshatit, e cila kohë më parë është ndërtuar nga buxheti komunal, derdhet në puset e 20 familjeve, të cilat tash e dy vite duhet të sigurojnë mënyra alternative për ujë të pijshëm.

A.D. ka thënë për klina info se disa herë ka qenë në komunë për ta lajmëruar rastin, që ky institucion të marrë masat e duhura para helmimit të ndonjë prej banorëve, por megjithë ankesat e shpeshta dhe premtimet e drejtorit të Inspektoratit, Petri Bekaj, për intervenim, deri tash asgjë nuk është ndërmarrë.

Sipas tij ujë nuk mund të përdoret as për pastrim, por në mungesë të zgjidhjeve banorët janë të detyruar të përdorin këtë ujë i cili është gjysmë kanalizim gjysmë ujë.

Ai madje tregon se para një jave një fëmijë i lagjes, është helmuar, ndërsa mjekët kanë konstatuar se helmimi ka ardhur si pasojë e përdorimit të ujit të papastër.

“Kjo është një arsye e fortë që personat zyrtarë që janë të papërgjegjshëm dhe nuk kujdesen për punët të cilat i takojnë të japin dorëheqje nga puna të cilën nuk e zotërojnë”, tha A.D./Klina.info

SHARE