Nga 15 marsi i këtij viti, e diela ditë pushimi për subjektet afariste në Klinë

Sot, Kuvendi i Komunës së Klinës ka mbajtur mbledhjen e II-të të rregullt për vitin 2020, ku të pranishëm ishin kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, drejtorë të drejtorive, anëtarë të Kuvendit, zyrtarë të OSBE-së dhe qytetarë.

Mbledhjen e hapi kryesuesi i Kuvendit, z. Fadil Gashi, i cili propozoi që të shtohet një pikë e rendit të ditës, për shqyrtimin dhe miratimin e planit të punës së KKSB-së, e cila u aprovua nga anëtarët e Kuvendit.

Në fillim, kryetari Elezaj ka theksuar se do të i njoftojë përfaqësuesit e bizneseve në Komunën e Klinës për rregulloren e orarit të punës dhe nga 15 marsi Drejtoria e Inspektoratit do fillojë mbikëqyrjen e zbatimit të kësaj rregullore e cila ndalon punën për disa biznese të dielave.

Kryesuesi i Kuvendit, z. Gashi, ka njoftuar të pranishmit, se kryetari i Komunës, z. Zenun Elezaj, ka iniciuar procedurat për mbajtjen e një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar për ndërtimin e fabrikës së çimentos në territorin e Komunës së Klinës, e cila do të mbahet me datë 05 mars 2020.

Gjatë kësaj seancë janë diskutuar këto pika të rendit të ditës:
1- Arsyetimi i mungesave,
2- Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar,
3- Pyetje dhe përgjigje,
4- Shqyrtimi dhe miratimi i planit të punës së ekzekutivit për vitin 2019,
5- Shqyrtimi dhe miratimi i planit të punës së ekzekutivit për vitin 2020,
6- Shqyrtimi dhe miratimi i raportit financiar të Komunës për vitin 2019,
7- Shqyrtimi dhe miratimi i propozim vendimit për formimin e këshillit organizativ të festivalit “ I këndojmë lirisë”- edicioni i 20-të,
8- Shqyrtimi dhe miratimi i draft ndryshimeve dhe plotësimeve të rregullores për ndarjen e bursave për studentë të Komunës së Klinës,
9- Shqyrtimi dhe miratimi i draft rregullores komunale për kutinë e ankesave në institucionet e arsimit parauniversitar,
10- Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës së Drejtorisë për Financa, Ekonomi dhe Zhvillim për bartjen e mjeteve të mbetura nga THV-2019 në 2020,
11- Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimeve të KPF-së për implementimin e rregullores për fillimin dhe mbarimin e orarit të punës së organizatave të biznesit,
12- Shqyrtimi dhe miratimi për plotësimin për Komisionin për shqyrtim të ankesave për emërtim të rrugëve, shesheve dhe vendbanimeve,
13- Shqyrtimi dhe miratimi i planit të punës së KKSB-së,
14- Të ndryshme.