Spitalit të Pejës i dhurohet një autoambulancë nga BE-ja

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, dhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, ku me autoritetet e pushtetit lokal dhe ato shëndetësorë biseduan për mënyrën e menaxhimit të situatës me koronavirus.

Gjatë vizitës aty, Spitalit të Përgjithshëm i është ndarë një autoambulancë nga pjesa e asistencës së BE-së për përgjigje ndaj Covid-19 në Kosovë

Zemaj po ashtu ka folur për përkushtimin që MSH-ja të mbështesë komunat me fuqizim të kapaciteteve për të siguruar që situata të menaxhohet në mënyrë korrekte deri në fund.

“Me kryetarin e kësaj komune, Gazmend Muhaxherin folëm për shqetësimet e krijuara nga Covid-19, shpalosëm pikëpamjet se si të zvogëlohet sa më shumë ky rrezik që po kanos shëndetin e qytetarëve, sikurse për projektet që do të realizojmë në të ardhmen. U dakorduam që shtabi emergjent të vazhdojë të jetë në gatishmëri, të decentralizohen shërbimet shëndetësore (e të mos jenë vetëm në nivel qendror) dhe që Inspektorati të jetë aktiv maksimalisht që të ndikohet në respektimin e masave anti-Covid-19”, tha Zemaj.

“Peja do të jetë në prioritetin e angazhimit tim, dhe do të mbështetën disa projekte të caktuara, e do të ofrohen ndihma logjistike për shëndetësinë në këtë komunë”, tha ai.

Gjatë qëndrimit në Pejë, Ministri me bashkëpunëtorë, ka vizituar edhe Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.

Ai është njoftuar nga drejtori i këtij spitali Skënder Dreshaj me punën që bëhet aty si dhe sfidat për menaxhimin e pandemisë.