Mitrovicë: Viktima piu domestos, Policia arreston fajdexhiun që e shtyu të bëjë vetëvrasje

Dje policia në Mitrovicë ishte njoftuar se një person ishte dërguar nga familjaret e tij në emergjencën e Spitalit Rajonal ne Mitrovicë, pasi që dyshohej se kishte konsumuar tretës kimik (domestos). Viktima kishte pranuar tretmanin mjekësor ne emergjencën e spitalit rajonal dhe me pas ishte përcjell në QKUK-Prishtinë për trajtim të mëtejmë ndërsa pas tretmanit mjekësor gjendja e viktimës ishte stabile.

Sektori Rajonal i Hetimeve nga DRP Mitrovicë, ka filluar me hetimin e rastit ku pas intervistimit të viktimës dhe disa dëshmitarëve në lidhje me rastin, janë gjetur dëshmi se viktima kishte marrë para me fajde nga një person dhe nga presioni për të paguar fajde, kishte tentuar të kryejë vetëvrasjen. Gjatë zhvillimit të hetimeve është identifikuar personi i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë vepër.

Sot rreth orës 07:00, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin në vendbanimin e tij dhe gjithashtu është kryer kontroll në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit mirëpo nuk ishte gjetur ndonjë dëshmi në lidhje me rastin. Pas intervistimit në prezencën e avokatit, i dyshuari B.D., 48 vjeçar me vendim të prokurorit është ndaluar në ndalim policor për 48 orë. Në konsultim me prokurorin e shtetit rasti cilësohet “Shtytja në vetëvrasje” dhe “Fajdeja” të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.