Mirëmëngjesi nga Karaçeva pa kazino e kontrabandë

Mëngjesi e ka zbardhur hyrjen e fshatit Karaqevë pa objektet e famshme të cilat njiheshin për kazino.

11 orë pasi janë vendosur në zonë, njësiti e Inspektoratit Policor të Kosovës dhe Policisë së Kosovës kanë nisur tërheqjen ndërsa prapa kanë lënë 12 objekte të rrënuara dhe qindra aparate të kazinove të konfiskuara.

Nën udhëheqjen e Prokurorisë së Gjilanit të premten mbrëma kishte nisur njëri nga operacionet më të mëdha kundër rrjeteve të kontrabandës dhe kazinove. Cak i operacionit ishin bizneset e kazinove dhe grupet e policëve kufitar të cilët kanë toletuar kontrabandën dhe aktivitetet kriminale nga ajo zonë.

Deri më tani në operacion janë arrestuar 10 policë dhe mbi 15 pjesëtarë të grupeve të kontrabandës.

Rrjeti i kazinove në zonë ishte hapur pas vendimit të ish-qeverisë Haradinaj për mbylljen e lojërave të fatit në Kosovë.

Trekëndëshi i Karaqevës ishte identifikuar si zonë neutrale në mes Kosovës dhe Serbisë ku policia nuk kishte qasje për të vendosur rregullin.

Zona  e lirë brenda pak muajsh është shndërruar në një shesh ndërtimi ku ishin ndërtuar 12 objekte dhe vendosur qindra aparatura të lojërave të fatit.

Grupet e kazinove janë të lidhura edhe me policët e arrestuar mbrëmë të cilët po ashtu janë duke u hetuar edhe për kontrabandim me mallra në zonën kufitare.