“Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin”, LDK i kundërpërgjigjet ashpër Muratit

Numrat janë shndërruar në objekt debati ndërmjet Qeverisë Kurti dhe partive opozitare, LDK dhe PDK që kanë reaguar ndaj publikimeve të Ministrit të Financave Hekuran Murati.

Së fundi, ministri Murati hodhi kritika të ashpra ndaj Lidhjes Demokratike, duke i cilësuar akuzat e tyre si “definicioni i propagandës”. 

Kjo erdhi si ‘hakmarrje’ ndaj akuzave të bëra nga Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, në një video të titulluar “Fakte para propagandës”, në të cilën partia në pushtet akuzohet për “propagandë në çdo deklarim”.

I menjëhershëm ishte reagimi i deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila përmes një reagimi në Facebook, akuzoi ministrin Murati, se po tenton të fshehë “krimin dhe korrupsionin” në lidhje me akuzat e tij se “LDK-ja po bënë propagandë në numra.”

“Ministri i dështimeve kapitale po e arsyeton korrupsionin qeveritar

Qeverinë e dështimeve, të korrupsionit, të tenderëve njëburimor dhe të tenderëve sekret e ka kapur paniku se po i dalin për çdo ditë dështimet në shesh.

Më së shumti kanë nisur të brengosën ministrat që kanë shënuar rekorde dështimi. Njëri prej tyre është Hekuran Murati, i cili po tenton të mbulojë krimin e korrupsionin me tenderët njëburimor dhe dështimet në investime kapitale.

Në vend të 160 çerdheve e keni ndërtuar një urë. Do të mbaheni mend si Qeveria e “Urës së Staradranit”.

Keni premtuar ulje të çmimit të energjisë elektrike, e do të mbaheni mend që keni ngritur çmimin për ta ndihmuar Martin Berishajn.

Hajde përkraheni Komisionin Hetimor për tenderët njëburimor dhe ta shohin të gjithë krimin e korrupsionin që ka kapluar këtë Qeveri.

Jeni të paaftë, të korruptuar dhe s’mund të fshiheni prapa askujt sepse tanimë të gjithë ju njohin. Dhe po e dimë që po të pengojmë por s’do të ndalemi – Propaganda nuk kalon!” – ka shkruar Bajrami.