Ministres Hajdari dikush ia zuri pritën te banesa, paraqitet e shqetësuar në Polici

Policia e Kosovës është aktivizuar të premten mbrëma pas një denoncimi të bërë nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Rozeta Hajdari, e cila u paraqit e shqetësuar se dikush po e përcjellë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se njësitë policore kanë zbarkuar në lagjen Arbëria menjëherë pas raportimit të Hajdarit, me ç’rast janë zbuluar informacionet e para që e shtynë ministren të kërkojë ndihmën e Policisë.

Sinjali mëson se një person dyshohet ta ketë përcjellë ministren deri te objekti banesor, ku ajo jeton, situatë kjo që Hajdarit i ka shkaktuar shqetësim për çka u detyrua të raportojë rastin.

Motivet e rastit janë akoma të panjohura, teksa Policia është vënë në veprim për të rënë në gjurmët e personit të dyshuar, që e ndoqi ministren rrugës për në banesën e saj.

Sipas informacioneve të para, një njësi e Policisë ka shkuar mbrëmë edhe te objekti i Ministrisë së Tregtisë, teksa është njoftuar edhe njësia e hetimeve.

Në lidhje me rastin, burimet thonë se tashmë është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit kanë nisur hetimet preliminare, për të zbuluar personin e dyshuar, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e tij.

Sinjali do të ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja në lidhje me këtë rast.

SHARE