Mbledhja e OKB-s, Biden bën thirrje për mbështetje ndaj Ukrainës

Presidenti amerikan Joe Biden foli të martën para Asamblesë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke paraqitur vizionin e tij për drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe qasjen e tij ndaj politikës së jashtme, për të cilën ai shpreson se do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve më urgjente të botës.

Siç pritej një nga temat kryesore të fjalimit të tij ishte mbështetja për Ukrainën dhe denoncimi i Rusisë për agresionin ndaj fqinjit të tij. Presidenti Biden tha se bota është në një moment kritik.

“Shtetet e Bashkuara duan një botë më të sigurt, më të begatë, më të barabartë për të gjithë njerëzit, sepse ne e dimë se e ardhmja jonë është e lidhur me tuajën. Dhe asnjë vend nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat e sotme”, tha ai.

Dhe një nga sfidat madhore në botë sot është agresioni rus ndaj Ukrainës. Presidenti Biden bëri thirrje për mbështetje për Kievin përballë bindjes së Moskës se bota do ta lejojë atë të brutalizojë vendin e saj fqinj, pa pasoja.

“Por unë ju pyes: nëse braktisim parimet thelbësore të Kartës së OKB-së përballë një agresori, a ka ndonjë vend anëtar që do të ndihej i sigurt dhe i mbrojtur? Nëse lejojmë që Ukraina të copëtohet, a është e sigurt pavarësia e ndonjë vendi? Përgjigja është jo”, tha Presidenti Biden.

Udhëheqësi amerikan tha se bota duhet t’i rezistojmë këtij agresioni të hapur sot për të frenuar agresorët e tjerë të mundshëm në të ardhmen.

“Kjo është arsyeja se pse Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët dhe partnerët tanë në mbarë botën do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të popullit të guximshëm të Ukrainës ndërsa ai mbron sovranitetin dhe integritetin e vet territorial – dhe lirinë e tij”, tha ai.

Ruajtja e mbështetjes për Ukrainën është një objektiv kyç për presidentin Biden mes thirrjeve në rritje nga vendet në Jugun Global për të përshpejtuar negociatat e paqes midis Moskës dhe Kievit.

Qytetarët e këtyre vendeve në zhvillim mbajnë barrën e kostos së konfliktit në çmimet globale të energjisë dhe ushqimeve dhe janë gjithnjë e më të shqetësuar për mundësinë e një lufte të gjatë.

Ekspertët thonë se shumica e anëtarëve joperëndimorë të OKB-së duan të shohin një zgjidhje diplomatike të luftës sa më shpejt.

Presidenti Biden foli edhe për krizën e klimës në shkallë globale.

“Valët rekord të të nxehtit në Shtetet e Bashkuara dhe Kinë. Zjarret që shkatërrojnë Amerikën e Veriut dhe Evropën Jugore. Viti i pestë i thatësirës në Bririn e Afrikës. Përmbytje tragjike në Libi që kanë vrarë mijëra njerëz. Të marra së bashku, këto imazhe flasin për urgjencën e asaj që na pret nëse nuk ulim varësinë nga lëndët djegëse fosile dhe të fillojmë të mbrojmë klimën në botën tonë”, tha ai.

Po të martën do të flasë para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, ku ai paraqitet për herë të parë personalisht që kur filloi agresioni i Rusisë. Udhëheqësi ukrainas do të pritet në Shtëpinë e Bardhë të enjten./ VOA