Për 24 orë, ndërrojnë jetë gjashtë persona të infektuar me COVID-19 në Kosovë

Në Kosovë, gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë edhe gjashtë pacientë të infektuar me coronavirus.

Kështu është bërë e ditur në komunikatën për medie, bashkë me rezultatet e numrit të të infektuarve që janë konfirmuar sot.

Gjatë ditës së djeshme, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani kishte njoftuar se numri i personave të vdekur të cilët kanë qenë të infektuar me COVID-19 ka arritur në 112, ndërsa në komunikatën e sotme thuhet se ky numër është rritur në 118.

“Numri total i rasteve pozitive është 5.369 raste nga 29.546 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 118 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më datën 15 korrik 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 486 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 132 raste pozitive.