Maliqi: Lufta për vendin e dytë është mes LDK-së dhe PDK-së, por njëra nga to mund ta formojë qeverinë

Publicisti Shkëlzen Maliqi thotë se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, mund ta sfidojë kryeministrin aktual, kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

Maliqi tha se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, gara për vendin e dytë do të jetë mes LDK-së dhe PDK-së. Por, sipas tij, cilado që mund të dalë e dyta, ka mundësi që ta formojë qeverinë.

Hamza është i respektueshëm. Fakti që ai është kandidat është një lëvizje e mirë në aspektin e procedurave demokratike, sepse kryetari i partisë nuk duhet të kandidojë gjithmonë. Me Hamzën llogaritet që ai të bëhet tërheqës për partitë e tjera për shkak të ‘antiamerikanizmit’ të Kurtit, pra që i prish marrëdhëniet me partnerët strategjikë të Kosovës”, thotë Maliqi për “Kosovo Online”.

“Lufta për vendin e dytë është në mes të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe PDK-së dhe cilado që del e dyta mund të jetë edhe e para në ndonjë shpërndarje. Supozohet se Vetëvendosje po e humb mbështetjen dhe nëse tani, le të themi, 100.000 votues të LDK-së që e kanë votuar Kurtin herën e fundit, kthehen në kampin properëndimor, atëherë mund të ndodhë që njëra nga këto dy parti opozitare të jetë e para që do ta formojë qeverinë”, tha Maliqi