LVV propozon që fitimi në produktet bazë të kufizohet me ligj

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që të hartohet një projektligj që përcakton marzhën e fitimit për produktet bazë me 8%.

Mimoza Kusari Lila ka propozuar që një projektligj i tillë të shkoj tutje përmes procedurës së përshpejtuar.

“Grupi ynë parlamentar propozon që të iniciohet projektligji për caktimin e marzhës së fitimit për produktet bazë, ato të cilat janë të përcaktuara edhe me ligjin e TVSH-së edhe me normën 8 për qind. Është e nevojshme draftimi dhe miratimi më procedurë të përshpejtuar për të sanuar efektet e rritjes së çmimeve dhe për të vendosur kontrolle”, tha ajo.

Kusari Lila ka komentuar edhe propozimin e LDK-së për reduktim të akcizës dhe TVSH-së.

“Me aplikimin e reduktimit të TVSH-së, të hyrat nga ATK sipas propozimit do të ndikohen menjëherë dhe rrjedhimisht do të ketë ulje dhe më pak të hyra për buxhetin e shtetit dhe më pak të hyra për fondet për rishpërndarje”, tha ajo.

Sipas saj rritja e çmimeve nuk ka ardhur nga qeveria Kurti por nga ndikimet nga jashtë.

“Qeveria Kurti nuk ka rritur asnjë taksë direkt ose indirekt, rritja e cimeve ka ardhur nga ndikimet nga jashtë për të cilat qeveria ka miratuar një udhëzim administrativ sipas të cilit rregullohen çmimet për produktet e naftës duke caktuar marzhën e fitimit maksimal”, tha Kusari Lila.

LDK e cila ka iniciuar këtë debat parlamentar, përmes deputetit Besian Mustafa ka dhënë dy propozime për qeverinë.

“Propozimi i LDK-së është shumë konkret, kemi të bëjmë me dy masa konkrete, fillimisht reduktimi i akcizës dhe TVSH-së në derivate për një periudhë 3 mujore me mundësi vazhdimi për 3 muaj, si dhe të zgjerohet lista e produkteve me TVSH të reduktuar. Këtu dua ta rikujtoj ministrin e financave se një gjë të tillë për zgjerimin e listës ja lejon ligji”, tha Mustafa

Në Kosovë muajt e fundit ka pasur rritje të çmimeve të produkteve esenciale si dhe derivateve të naftës për të cilat qeveria ditë më parë ka marrë vendim për që të vendos çmim për të gjitha pikat e karburanteve.