Lul Raka-qytetarëve: Nuk do t’ju lëmë kurrë vetëm, në asnjë rrethanë e me asnjë çmim

Epidemiologu Lul Raka reagoi pasi numri i të infektuarve dje nga koronavirusi ishte 79, numri më i madh që nga rasti i parë i konfirmuar në Kosovë.

Raka tha se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, por që shtoi se ai bashkë me doktorët e infermierët e tjetër nuk do t’i lënë kurrë vetëm qytetarët, për asnjë çmim, transmeton Indeksonline.

“Unë, bashkë me të gjithë kolegët e mi në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor NUK DO T’JU LËMË KURRË VETËM! Në asnjë rrethanë e me asnjë çmim”, ka shkruar ai.

Reagimi i plotë:

TË DASHUR QYTETARË TË KOSOVËS!

• Po e lëmë pas një muaj të përballjes me virusin, përfshirë edhe “dy javët e mia”. Ato, në fakt ishin dedikuar vetëm për Juve dhe ishin rasti i parë vendimtar për t’ia prerë kokën virusit.

• Numri i sotëm 79 dhe numrat pasues ditorë dyshifrorë na tregojnë së ndodhemi në udhëkryq të betejës me koronavirusin. Tashmë, këta numra do të ndikojnë më shumë në “RRI N’SHPI” sesa mesazhet tona njëmujore.

• E kuptoj shqetësimin Tuaj dhe po ashtu edhe fyerjet, talljet dhe kërcënimet e atij dyjavëshi. I kuptoj edhe disa gazetarë, të cilët, megjithatë kanë një dozë pak më të madhe të përgjegjësisë në mjedisin dhe kohën që po e përjetojmë.

• Nuk e kam ndërmend të merrem me analizën e injorimit të rrezikut, grumbullimeve familjare, tubimeve ilegale dhe kolonave të automjeteve nëpër pika turistike.

• Unë, bashkë me të gjithë kolegët e mi në të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor NUK DO T’JU LËMË KURRË VETËM! Në asnjë rrethanë e me asnjë çmim.

• Shëndeti Juaj dhe i Familjeve Tuaja do të jetë ideali ynë deri në orët e fundit të këtij rrugëtimi të vështirë e të gjatë.

TANI MË SHUMË SE KURRË KEMI NEVOJË TË QËNDROJMË BASHKË!

SË BASHKU DERI NË FITORE!

ZOTI JU BEKOFTË JUVE DHE TOKËN TONË TË SHENJTË!

SHARE