Lajm i mirë nga MPB për pasaporta: Nga marsi s’do të ketë më probleme

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), gjatë kësaj jave është pajisur me material bazik për prodhimin e dokumenteve personale si pasaporta dhe patentë-shofer.

Zëdhënësja e MPB-së, Nora Fetoshi, tha se sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë kontraktuese, me pjesën tjetër të materialit do të furnizohen në fillim të shkurtit dhe marsit, kur edhe pritet që kjo problematikë të marrë fund.

“Ashtu siç kemi premtuar, një pjesë e materialit bazik për prodhimin e dokumenteve personale ka arritur në Kosovë gjatë kësaj jave. Në fillim të muajit shkurt dhe mars do të arrijë pjesa tjetër e materialit, bazuar në kontratë. Gjendja aktualisht është stabilizuar dhe qytetarët janë duke u pajisur me dokumente personale”, deklaroi Fetoshi për mediat.

Ndryshe, Gazeta Sinjali në dhjetor të vitit të kaluar pati raportuar se Kosova po përballej me mungesë të materialeve për prodhimin e disa dokumenteve që nga muaji tetor i vitit të kaluar.

Ministria e Punëve të brendshme i kishte dhënë kontratën për furnizim me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë më 9 dhjetor të këtij viti kompanisë “Veridos” nga Berlini në vlerë prej mbi 4 milionë euro për një vit.

Edhe pse data e nënshkrimit ishte paraparë të ndodh me 14 dhjetor, Gazeta SInjali mëson se kjo nuk është bërë dhe pritet të nënshkruhet të hënën.

Rikujtojmë se pajisa me pasaporta në Kosovë ishte bërë e pamundur tash një kohë si shkak i shpalljes e anulimit të tenderëve

Derisa Kosova më parë vlerësohej se i kishte shërbimet thuajse më të mira në rajon, sot nuk ka mundësi t’i furnizoi qytetarët me dokumente për muaj të tërë.

Nga MPB-ja njëherë arsyetoheshin se në këtë çështje ka ndikuar pandemia, tash po arsyetohen se po ndikon agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, por kjo mohohet pasi që kompania gjermane furnizohet nga shtypshkronja në Greqi.

Gazeta Sinjali mëson se Ministria e Punëve të Brendshme e cila drejtohej më 2021 nga Agim Veliu kishte shpallur tender më 16 mars për furnizim me dokumente blanko, sistem VIZA, ABIS, regjistrim, personalizim dhe lëshim të dokumenteve personale të identifikimit.

Por tenderi 21 milionë euro, ishte anuluar me ardhjen e Qeverisë së re, konkretisht ministrit Xhelal Sveçla me 17.05.2021 për shkak të mos përgatitjes në nivelin e duhur të specifikave teknike dhe gabimeve në përcaktimin e formës-dizajnit të dokumenteve personale.

Pastaj në prill të këtij viti MPB-ja kishte shpallur tender në vlerë 12 milionë e 300 mijë euro për furnizim me dokumente personale dhe mirëmbajtje të sistemeve elektronike.

Por në maj ishte anuluar sipas MPB-së për shkak të mos përgatitjes në nivelin e duhur të specifikave teknike dhe gabimeve në përcaktimin e formës-dizajnit të dokumenteve personale.