Ka vazhduar dezinfektimi i objekteve të institucioneve dhe rrugëve në Malishevë

Në kuadër të zbatimit të vendimeve dhe urdhëresave për masat parandaluese ndaj COVID-19, në Komunën e Malishevës, është duke vazhduar dezinfektimi i objekteve të institucioneve dhe i rrugëve në qytetin e Malishevës. Kjo po bëhet edhe për krijimin e një sigurie më të madhe për qytetarët, por edhe për punëtorët të cilët detyrimisht duhet të jenë në punë dhe të ofrojnë shërbime për qytetarët.
Po ashtu, gjatë ditës së djeshme, janë dezinfektuar objektet shëndetësore dhe një pjesë e objekteve shkollore, ndërsa sot është vazhduar me objektin e komunës, gjykatës dhe do të vazhdohet me dezinfektim edhe në objekte tjera, ku frekuentimi i qytetarëve dhe punëtorëve është më i madh.
Edhe rrugët e qytetit janë duke u pastruar dhe dezinfektuar nga ana e njësisë së “Ekoregjionit” në Malishevë, e cila gjithashtu është duke vazhduar me grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave, sipas orarit të rregullt, ndonëse me staf të reduktuar.
Dezinfektimi o objekteve do të jetë i rregullt, përderisa kjo është e nevojshme dhe luten qytetarët që të mos shqetësohen pasi këto shërbime dhe zbatimi i masave parandaluese, do të bëhet në vazhdimësi.