Pakoja emergjente, sot dalin pagesat edhe për punëtorët e tjerë

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi ka bërë të diturse një masë e punëtorëve i kanë marrë kompenzimet prej 170 euro ditën e premte, ndërsa pjesa më e madhe do t’i marrin sot.

Kjo u bë e ditur nga një sqarim i ministrit të Financave në Facebook, ku ka njoftuar se 26.422 biznese  kanë aplikuar për kompensim duke kërkuar nga 170 euro për punëmarrësit e tyre.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë
Më duhet të ofroj një sqarim për të evituar keqkuptimet që mund të rezultojnë nga titulli i artikullit të bashkangjitur.
Ministria e Financave ka pranuar përmes platformës së saj në Administratën Tatimore të Kosovës aplikime nga 26.422 biznese për kompenzim me nga 170 euro për punëmarrësit e tyre. Numri i përgjithshëm i punmarrësve është 126.000. Nga këto 26.422 biznese, vetëm 4.4% e tyre, ose 1.162 sosh kanë kërkuar kompenzim në llogarinë e punëdhënsit (kjo për arsye se ata kanë dokumentuar që përkundër vështirësive, kanë paguar pagat e punëtorëve të tyre).
Një masë e punëtorëve i kanë marrë kompenzimet ditën e premte, pjesa më e madhe i marrin sot. Ata të cilët nuk i kanë marrë ende mjetet i takojnë njërës nga kategoritë e mëposhtme:
1. Të dhënat janë ngarkuar gabimisht në sistem (për shembull kontabilisti që kryen shërbime për disa kompani, nga pakujdesi ka ngarkuar listat e gabuara të punëtorëve tek kompanitë përkatëse)
2. Janë supermarkete, barnatore apo furra të cilat kanë qenë hapur dhe megjithatë kanë ngarkuar pothuajse gjithë stafin e tyre për kompenzim (në shumicën e rasteve është fjala për keqpërdorim, për shembull ka rrjet supermarketesh që ka qenë hapur gjithë kohën dhe megjithat ka plotësuar kërkesë për kompenzim të mbi 1.100 punëtorëve, dhe unë e kam ndaluar)
3. Kërkesa ka ardhë nga ndërmarrje publike apo shoqërore e cila është paraparë të përfitojë nga masa 4 e jo masa 3.
4. Kërkesa ka ardhë më vonë se tjerat dhe trajtohet në valën e dytë.
5. Ka të tillë që kanë aplikuar për kompenzim më shumë se një herë që nuk është idea e pakos (për shembull një kontabilist i papërgjegjshëm ka futur veten në listat e punëtorëve të hiq më pak se 23 bizneseve, dhe natyrisht që këso tendenca për keqpërdorime të pakos nuk do lejohen)./Klina info/