Lajçaku me ultimatum: Marrëveshja të zbatohet deri në fundvit, përndryshe vijnë konflikte të reja

Procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë gjatë këtij viti, përndryshe mund të jetë humbje e përpjekjeve shumëvjeçare.

Kështu deklaroi përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet dy vendeve, Miroslav Lajçak, gjatë një takimi me gazetarë të premten në Sllovaki.

Të enjten, Kosova dhe Serbia zhvilluan një raund të ri negociatash për normalizimin e marrëdhënieve në Bruksel, por nuk arritën të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell paralajmëroi se kjo në vetvete mund të dëmtojë shpresat e tyre për t’u bashkuar me BE-në.

Në një intervistë për mediumin sllovak TASR, Lajçaku vuri në dukje se procesi i normalizimit të marrëdhënieve tashmë kishte arritur një “pikë kthese” pasi të dy palët ranë dakord për dokumentet bazike që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve, në shkurt në Bruksel dhe në mars në Ohër.

“Gjashtë muaj kaluan, megjithatë, zbatimi i marrëveshjes nuk filloi. Të dyja palët kanë një mosbesim të madh ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë, më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, ka përshkruar situatën Lajçak.

Ai shtoi se “nuk funksionon kështu”, teksa potencoi se kjo është arsyeja pse BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që lejon të dyja palët të veprojnë paralelisht.

Sipas Lajçakut, propozimi i BE-së është transparent dhe i matshëm, ai mund të pezullohet në çdo kohë nëse njëra palë ndalon përmbushjen e detyrimeve të saj.

Ai i quajti të vështira negociatat e së enjtes mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

“Kurti insiston në dokumente, të cilat de facto nisin me faktin se Serbia tashmë e njeh Kosovën dhe vetëm atëherë bën pjesën e saj të punës, që natyrisht nuk është rruga e duhur përpara”, shpjegoi diplomati sllovak.

Ai ka theksuar se edhe në këtë moment nuk është e nevojshme që BE-ja të fokusohet në negociatat e mëtutjeshme me Kosovën dhe Serbinë.

Lajçaku theksoi se tashmë është e nevojshme të mundësohet vazhdimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve këtë vit.

“Nëse këto vendime themelore nuk merren deri në fund të afatit (që është fundi i vitit, sipas tij – shën.red.), kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që do ta shtyjnë këtë agjendë në plan të dytë”.

“Jam i bindur se Marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e kanë përqafuar, por do të ishte turp nëse do të përfundonte në ‘pluhur’. Në atë rast na presin konflikte të reja, përshkallëzimi i tensioneve dhe mundësisht edhe më shumë dhunë në veri të Kosovës”, ka përfunduar ai.