Kuvendi del me sqarim: Deputetët e dorëhequr të Listës Serbe nuk do të paguhen nga buxheti i shtetit

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se deputetët e Listës Serbe nga momenti që kanë dhënë dorëheqje, nuk do të marrin asnjë beneficion nga buxheti i Republikës së Kosovës. Nga ky institucion, sqarojnë se në këtë rast përfshiret edhe paga kalimtare deri në 12 muaj.

Sipas njoftimit, e drejta për pagë kalimtare gëzohet vetëm kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit.

“Në funksion të sqarimit të publikut lidhur me përfitimet e ish-deputetëve, njoftojmë si në vijim: Kur Kuvendi shpërndahet, qoftë pas mandatit të rregullt apo me ndërprerje të mandatit, deputetët e legjislaturës përkatëse gëzojnë të drejtën në pagë kalimtare deri në një sistemim të ri, më së shumti 12 muaj. Ndërsa kur deputeti jep doreheqje, nga ajo ditë i pushojnë të gjitha të drejtat që mund të kishte përfituar si ish-deputet, përfshirë edhe pagën kalimtare deri në 12 muaj”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe vendosën për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Njoftimi erdhi pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Në seancën e 17 nëntorit, 10 deputetë të rinj kanë dhënë betimin e tyre në seancën e Kuvendit të Kosovës

Nga 10 deputetët e dorëhequr të Listës Serbe, nëntë nga ata u zëvendësuan nga deputetët e së njëjtës parti, ndërsa i 10-ti zëvendësohet nga një tjetër deputet serb, mirëpo nuk i takon partisë Lista Serbe.