Policia i merr veturën dhe gjobit taksistin, që e kishte të ndaluar ngasjen

Njësitet patrulluese të trafikut nga stacioni i policisë në Gjilan, gjatë një kontrolli rutinë kanë ndalur një automjet me targa vendore (TAXI) dhe gjatë kontrollit është vërtetuar se vozitësit shqiptar, shtetas i Kosovës, drejtonte mjetin e tij edhe pse kishte ndalesë të drejtimit të mjetit si masë mbrojtëse.

Të njëjtit, sipas nenit 246 konform ligjit për rregullat në trafikun rrugor 08/L-186 paragrafi 5, i është shqiptuar gjoba në vlerë prej 500 eurosh, pesë pikë negative, masën e përkohshme të ndalim vozitjes së mjetit motorike në afat prej gjashtë 6 muajsh si dhe i është konfiskuar automjeti.

“Drejtoria rajonale e Policisë në Gjilan, apelon vozitësit që ti respektojnë normat dhe ligjet e trafikut rrugor, po ashtu inkurajon mediat dhe qytetarët që për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion të njoftojnë Stacionin më të afërm të policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë’’, E-mail: [email protected] dhe numrat kujdestarë:192; 0385045047001″ thuhet në njoftim.