PËRKUJTOHET DËSHMORI I KOMBIT BEDRI BERISHA.

Nën organizimin e Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, sot është mbajtur Akademi Përkujtimore me rastin e 20-të vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Bedri Berisha.

Të pranishëm në këtë Akademi Përkujtimore ishin Kryetari i Komunës së Klinës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, me bashkëpunëtorë, kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, përfaqësues të institucioneve lokale të Komunës së Klinës dhe të organizatave të dala nga lufta, familjarë të të ndjerit dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalën e tij, para të pranishmëve, kryetari Elezaj theksoi se veprat e mëdha të dëshmorëve kanë ndriçuar rrugën e gjeneratave të tëra që do të vijnë.

“Jemi tubuar sot këtu në këtë përkujtim për të kujtuar luftëtarin e denjë të Ushtrisë Çlirimtare dhe të lirisë së Kosovës, Bedri Bajram Berishën, i cili para njëzet vjetëve bëri aktin më sublim, dha jetën e tij për lirinë e këtij vendi.
Pra, sot, kujtojmë me pietetin më të lartë njeriun, vepra e madhe e të cilit do të ndriçojë rrugën e gjeneratave të tëra që do të vijnë.
Krenaria jonë sot e mund dhembjen, mund mungesën e madhe që ne e ndjejmë.
I edukuar nga familja, Bedriu, qysh herët e kishte zgjedhë rrugën e vet. Përkushtimin dhe sakrificën ndaj atdheut kauzës kombëtare. Asnjëherë nuk u pajtua me shtypje dhe robërinë e regjimit serbosllav, që po e mbante Kosovën dhe shqiptarët në prangat e robërisë.
Të nderuar të pranishëm, Atdheu nuk i harron asnjëherë bijtë e tij. Ata janë themeli i lirisë, paqes dhe i shtetit.
Uroj që rruga atdhetare e dëshmorit të lirisë, Bedri Bajram Berishës dhe e gjithë dëshmorëve të tjerë të kombit, të mbeten në kujtesën e gjallë ndër breza.
Popull i nderon dhe i respekton gjithmonë ata që respektojnë kauzën tonë të shtrenjtë.
Lavdi Jetës dhe veprës së dëshmorit të komit, Bedri Bajram Berisha!
Lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!”, tha ndër të tjera kryetari i komunës së Klinës, z. Zenun Elezaj.

Veprën heroike të dëshmorit të kombit, Bedri Bajram Berisha, e vlerësuan lartë edhe bashkëluftëtarë dhe familjarë të të ndjerit.

SHARE