“Kushtetuta nuk është Bibël” – Vjosa Osmani i kundërpërgjigjet Lajçakut

“Kushtetuta nuk është Bibël” – Vjosa Osmani i kundërpërgjigjet Lajçakut

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur emisarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili sot u shprehet se duhet ndryshuar Kushtetua e Kosovës për t’i hapur rrugë formimit të Asociacionit, shkruan Insajderi.

Osmani para gazetarëve ka thënë se një deklaratë e tillë e Lajçakut nuk është e vërtetë.

“Unë mund tua konfirmoj si një ndër tri institucionet që është takuar me z.Lajçak që ajo që ka deklaruar në Serbi, absolutisht nuk është e vërtetë. Pra e para, si kryetare e Kuvendit në asnjë moment nuk e kam thënë në takim që pajtohem që asociacioni të themelohet edhe në përputhje me marrëveshjen e vitit 2015, por e kam thënë pikërisht të kundërtën që duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me asociacionin”, ka thënë Osmani.

“E dyta, sa i përket konstatimin e tij lidhur me ndryshimin e kushtetutës e them me përgjegjësi të plotë se gjatë takimit unë kam deklaruar që duhet të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe nuk mund të themelohet asnjë pushtet i tretë e aq më pak organe me kompetenca ekzekutive të cilat do të mund të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë kryetarja e Kuvendit.

Lajçak, sot në Beograd ka thënë se “Kushtetuta nuk është Bibël dhe se Kosova duhet ta ndryshojë atë për Asociacionin”.