Kurti në Tiranë: I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, ndarjet krahinore kanë qenë dhe janë pengesë edhe sot

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve atij të Shqipërisë dhe Kosovës, ka thënë se Kosova i gëzohet çdo suksesi të Shqipërisë.

“I gëzohemi çdo suksesi të Shqipërisë, si atyre të qeverive paraprake edhe këtyre sukseseve. Urojmë që sukseset e Shqipërisë të shtohen në çdo ditë të flamurit. Ashtu siç gëzohemi ne në Kosovë për sukseset tuaja ashtu gëzohen edhe në Shqipëri për sukseset e Kosovës”, tha Kurti.

Kurti shtoi se vendet tona ballafaqohen me probleme ku më i mprehti është ai i largimit të të rinjve.

Kryeministri shtoi se mërgimtarët janë mbështetja më e madhe e dy vendeve tona.

Kjo ditë është edhe e juaja e më së shumti e juaja, mërgimtarët janë mbështetja më e madhe për vendet tona e familjet e tyre. E di që nuk po shkoni për qejf por prej brengës, e di që nuk kemi bërë mjaftueshëm që tua kthejmë besimin në institucione e që fëmijët tuaj ti rrisni në atdheun tuaj, por ju garantoj që këtë betejë do ta bëjmë deri në fund”, tha Kurti.

Sipas tij Kosova e Shqipëria duhet të përfshihen në çështjen publike të njëra-tjetrës, mirëpo “jo për të penguar, por për të kontribuar”.

“Ndarjet krahinore, bajraktarizmat, ishin pengesë e prapambeturi atëherë, janë pengeesë e prapambeturi edhe sot. Prandaj duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura, ekonomia nuk janë qifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta kala ku e vëmë të gjithë nga një gur. Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanët. Na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjetrin, t’i pranojmë perspektivat e ndryshme, kritikat njëri-tjetrit. Të punojmë së bashku”, tha Kurti. /Telegrafi/