MPJ i anulon zyrtarit të lartë serb të vizitoj Kosovën, shkak – arrestimi i Nezir Mehmetajt

Shefi i Kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i ka refuzuar kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Presidentit të Serbisë, Nikola Selakoviq, që ta vizitojë Republikën e Kosovës, më 14 mars të vitit 2020.

Sipas tij kjo kërkesë u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, Nezir Mehmetaj.

“Kërkesa u refuzua për shkak të arrestimit të padrejtë dhe mbajtjes së vazhdueshme në paraburgim nga autoritetet e Beogradit, të qytetarit të Republikës së Kosovës, z. Nezir Mehmetaj, edhe pse të gjitha faktet tregojnë se ai do të duhej të lirohej sa më parë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, kërkesat e tilla do t’i shqyrtojë vetëm pas lirimit të z. Nezir Mehmetaj, i cili u arrestua nga policia serbe më 4 janar 2020, në pikën kufitare në Merdare, derisa po kthehej nga Zvicra në Kosovë, me pretekstin se dyshohet për krime lufte”, thuhet në njoftimin e tij.