Kurti kujton masakrën e Qyshkut: S’ka asnjë të dënuar me aktgjykim përfundimtar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar se para 24 viteve, forcat e armatosura të Serbisë vranë mbi 120 shqiptarë civilë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.

Ai ka thënë se krimet e Serbisë të kryera gjatë luftës në Kosovë nuk mund të falen e as harrohen.

“Para se të na gjuante, ai bërtiti: ‘Në emër të Serbisë’Menjëherë ushtarët e tjerë hapën zjarr në të gjithë dhomën. Pas kësaj, ata ia vunë flakën shtëpisë dhe u përgatitën të dilnin nga dhoma. U tërhoqa nga trupat e vdekur dhe kuptova se askush nga grupi im nuk ishte gjallë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook, duke e kujtuar dëshminë e Isa Gashit, i mbijetuar i masakrës së Qyshkut, dhënë për HLC.

“Në mëngjesin e hershëm të 14 majit 1999, në mes të fushatës ajrore të NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, forcat e armatosura të Serbisë, hynë në fshatin Qyshk. Ishin rreth 100 pjesëtarë të armatosur, me fytyra të mbuluara me ngjyrë të zezë ose maskë, dhe disa prej tyre kishin në kokë shalla të zinj dhe kapele të gjelbra të stilit kauboj. Mes tyre ishte edhe grupi i quajtur “Çakallët”. Ata dëbuan me dhunë banorët nga shtëpitë. I mblodhën në qendër të fshatit, u grabitën paratë dhe stolitë e arit. Ua grisën dhe dogjën dokumentet e identifikimit personal. Pastaj i ndanë burrat nga gratë dhe fëmijët. Burrat i dërguan në tri shtëpi, ku i pushkatuan dhe pastaj i dogjën”.