Kurti: Fjalët veteran dhe pagë s’mund të jenë në një fjali, javën tjetër dorëzojmë ofertën konkrete

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për protestën e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që ka të bëjë me përfshirjen në projektligjin për pagën minimale. Kurti është shprehur se fjalët veteran dhe pagë s’mund të jenë në një fjali.

Sipas kreut të Qeverisë, paga nuk merret për diçka që është bërë para 23 vjetëve, por veteranët marrin beneficion.

Kurti në një konferencë për media ka thënë se beneficioni i veteranëve duhet të jetë më i lartë se paga minimale, por që sipas tij, për të ndodhur kjo, fillimisht duhet të bëhet pastrimi i listave.

“Unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës fjalën veteran dhe luftëtar e çlirimtar në njërën anë, dhe fjalën pagë në anën tjetër, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë beneficione për veteranët si mirënjohje e shoqërisë, por jo pagë. Paga merret në kohën e tashme të vazhdueshme jo për diçka para 23 vjetëve. Kjo nënkupton që beneficioni nuk bën të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale. Por për këtë kam kërkuar që paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë tek e vërteta historike ashtu siç ka qenë. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi krenarë”, tha Kurti.

Në anën tjetër, ka bërë të ditur se bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë në përgatitje të një propozimi konkret për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai është shprehur se kjo ofertë do të jetë përmbajtjesore dhe e qartë, si dhe ajo do t’u dorëzohet atyre gjatë javës tjetër.

“Propozimet me shkrim do t’iu dërgohen gjatë javës tjetër. Bashkë me ministrinë  Financave jemi duke punuar në një propozim konkret, ofertë përmbajtjesore, me shkrim, të qartë për organizatat e dala nga lufta. Jam i hapur për dialog e komunikim. Zyrën e kanë të hapur për gjitha dilemat që mund t’i kenë”, tha kreu i Qeverisë.

Kujtojmë se Kurti, ka pritur dje në takim ushtruesin e detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Faton Klinaku, bashkë me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të UÇK-së, me të cilët ka diskutuar për kërkesat e tyre të shpalosura edhe në protestën e së enjtes.

Takimi ka zgjatur më shumë se dy orë, por që nuk pati rezultat, pasi veteranët nuk kanë arritur pajtim me Kurtin në kërkesat e tyre..