Ministria e Arsimit kërkon që greva të ndërpritet: Mësimi fillon nesër, prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë

Greva e nisur ditë më parë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës, ka vënë në pikëpyetje fillimin e vitit të ri shkollor. Pas pushimit të verës, nxënësit do duhej që nesër të kthehen në bankat shkollore,

Lidhur me këtë është deklaruar në një konferencë për media, zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHT), Dukagjin Pupovci, i cili tha janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitin të ri shkollorë me 1 shtator.

“MASHTI-i i ka bërë të gjithë përgatitjet, edhe komunat i ka bërë përgatitjet. Po ashtu është bërë shpërndarja e teksteve, me përjashtim të klasës së pestë e që do të kryhen në dy ditët e ardhshme. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, edhe mësimdhënësit duhet të shkojnë në shkollë. Kjo grevë është e pranishme në sektorin e arsimit dhe shumë pak në sektor të tjerë”, tha ai sot.

Sipas tij pjesëmarrja në grevë është individuale. “Mendoj se forma më e mirë do të ishte komunikimi i drejtpërdrejt e prindërve me mësimdhënësit. Prindërit duhet ‘i dërgojnë nesër fëmijët në shkollë. Ne nuk po bëjmë presion ndaj grevistëve”, deklaroi ai.

Pupovci vlerësoi se SBASHK nuk duhet të jetë si pikë informuese për nxënësit, por janë shkollat ato që do të duhej ta bënin. Ai tha se greva është e drejtë e secilit dhe për këtë nuk kanë asgjë kundër.