Aksioni “Shënjestra” vë në pranga 18 persona, u sekuestruan 10 mijë euro , armë e vetura

Policia ka bërë të ditur se në aksionin e së mërkurës i cili u zhvillua në 27 lokacione të ndryshme nëpër Kosovë, janë sekuestruar sasi e madhe e armëve pa leje. Në këtë aksion janë sekuestruar po ashtu fishekë,  telefona celularë si dhe para të gatshme.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se janë arrestuar 18 persona, nën dyshimin se të njëjtit nën bashkëveprim kanë kryer veprat penale “Trafikim me armë, shitje e paautorizuar e armëve, armëmbajtje pa leje”. Aksioni është zhvilluar në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Pejë e Prizren.
Raportohet se Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim me prokurorin e Shtetit, kanë kontrolluar 27 lokacione të ndryshme. Gjatë operacionit policor janë arrestuar 18 të dyshuar meshkuj K/Shqiptarë, nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer veprat penale”, bëhet e ditur në raport.

Gjatë aksionit janë sekuestruar sasi e madhe e armëve, fishekëve dhe parave.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar: 57 armë zjarri, 9000 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy vetura, 10000€ para të gatshme, 25 telefona celularë, disa pajisje për përpunimin e armëve, disa tyta të armëve, si dhe dëshmi tjera të rëndësishme për procedurë. Me vendim të prokurorit të gjithë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, theksohet në raport.