Kryeministri takoi familjarët e viktimave të masakrës së Paklekut

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim familjarët e viktimave të masakrës së Paklekut, Teuta Elshanin, Fadil Muqollin dhe Xhavit Muqollin dhe profesorin Nusret Pllana, autor i librit “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999”.

Gjatë javës së kaluar janë përkujtuar viktimat e masakrës së Paklekut dhe Çikatovës së Vjetër, ku 23 vite më herët, nga forcat serbe u vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur.

“Këto masakra, sikurse edhe të gjitha masakrat tjera në Kosovë, janë dëshmi e pamohueshme e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit të shtetit serb ndaj shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998/1999”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Sipas njoftimit, në takimin e sotëm është diskutuar për rëndësinë e dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës dhe për rolin e rëndësishëm që Instituti për krimet e kryera gjatë luftës do të ketë në arritjen e këtij qëllimi.

Kryeministri Kurti citohet të ketë thënë se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen, dhe se “na duhet që të gjithë, organizata e institucione shtetërore, shoqëria civile, hulumtues të pavarur, e ekspertët të jashtëm, të angazhohemi në dokumentimin dhe adresimin e tyre”​.