Vera e kaluar ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë në Evropë

Vera e vitit 2021 ishte vera më e nxehtë që Evropa ka përjetuar ndonjëherë, me 1 gradë Celsius mbi mesataren, sipas raportit vjetor të publikuar nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus.

Italia madje regjistroi një rekord të përkohshëm të nxehtësisë për të gjithë Evropën, duke arritur 48.8 gradë Celsius në Sicili gushtin e kaluar.

Një valë e nxehtësisë në Mesdhe ndihmoi në ndezjen e zjarreve të rënda në Greqi, Turqi dhe Itali.

Globalisht, shtatë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat e regjistruara.

Studiuesit e klimës hodhën një vështrim më të afërt në fatkeqësinë e përmbytjeve që goditi Gjermaninë në mesin e korrikut 2021, e cila mori jetën e më shumë se 180 njerëzve në shtetet perëndimore të Rheinland-Pfalz dhe North Rhine-Westphalia.

Reshje rekord u regjistruan më 14 korrik 2021 mbi Belgjikë dhe Gjermaninë Perëndimore, raporton DW.

Raporti po ashtu tregoi se temperaturat e sipërfaqes së detit vitin e kaluar në pjesë të deteve Baltik dhe Mesdhe ishin më të lartat që nga fillimi i regjistrimeve satelitore në fillim të viteve 1990.

Shkencëtarët besojnë se pasojat më katastrofike të ndryshimeve klimatike mund të shmangen vetëm nëse ngrohja globale kufizohet në një maksimum prej 1.5 gradë Celsius mbi kohërat para-industriale, siç u zotuan vendet sipas Marrëveshjes së Parisit të 2015-ës.