Kryeministri Kurti: Kush ka vajzën, botën ka

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka ndarë një mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë.

”T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”, ka thënë ai, ndërsa u shpreh se Qeveria është e përkushtuar të mbështes të gjitha kategoritë pa dallim.

”I duhet shtëpisë një djalë është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë. Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë”.

”Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”.

Mesazhin, kryeministri e ndau përmes një videoje, gjatë lansimit të fushatës ”Të gëzohemi me fëmijë”, drejtuar nga UNFPA në partneritet me IPKO Foundation.

Fushata sipas të pranishmëve të këtij eventi, ka synim që të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen sensitive të abortit selektiv në Kosovë.

Kjo dhe me qasjen e pabarabartë të vajzave në edukim, me qëllim të ndërmarrjes së nismave më efektive për ta adresuar këtë shqetësim.