Dy të infektuarat me COVID 19 në Vushtrri, kishin punuar në një market

Vushtrria regjistron 7 raste me coronavisur. E rasti i fundit u konfirmua mbrëmë. Mirëpo, dy prej të infektuarve të mëhershme, kishin punuar në një market në Vushtrri edhe gjatë kohës sa ishin të infektuar.

Ka qenë kryetari i Komunës së Vushtrrisë që e konfirmoi këtë gjë, duke thënë se edhe punëtorët e tjerë të këtij marketi tani janë futur në izolim, shkruan Reporteri.net.

“Të gjitha kontaktet e personave të prekur janë udhëzuar në vet izolim. Punëtorët e marketit ku kanë punuar 2 të prekura po ashtu janë udhëzuar në vet izolim”, ka thënë Tahiri.

Ndërkohë, ai ka bërë thirrje që qytetarët e këtij qyteti të respektojnë masat pasi, sipas tij, këto ditë në vijim janë vendimtare për të ndalur përhapjen.

“Janë 7 raste me Covid-19 në Komunën e Vushtrrisë, i fundit u konfirmua mbrëmë. Ditët në vijim janë vendimtare për të ndalë përhapjen e këtij armiku të padukshëm në qytetin tone”, ka shtuar ai.

Sidoqoftë, numri më i madh i të prekurve në Vushtrri janë nga fshati Studime, ku një familje e tërë ka rezultuar positive pas analizave për coronavirus.

Ndryshe, Kosova deri tani ka 112 të infektuar me virusin Covid 19, prej të cilëve një ka humbur jetën dhe 6 janë shëruar