Krasniqi: Nuk do të lejoj që Albin Kurti të bëhet diktator i Kosovës

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, deklaroi se kurrë s’ka për ta lejuar kryeministrin Albin Kurtin që të bëhet diktator i Kosovës, dhe siç tha, Kurti s’ka për të guxuar kurrë ta kthejë Kosovën në diktaturë.

Këto komente Krasniqi i bëri pas takimit që e mbajti me kryetarin e Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj, të cilit i premtoi përkrahje.

“Ishte diskutim për kërkesat krejtësisht legjitime që sindikatat me muaj të tërë i kanë adresuar te Qeveria e Kosovës. Qëndrimi ynë si PDK është i qartë, diaoligu social s’duhet të ketë alternativë se përmes tij duhet të mundohemi të gjejmë zgjidhje, por qasja që e ka zgjedhur Qeveria e Kosovës është qasje e papranueshme. Nuk ka vend për qasje autoritariste dhe diktatoriale në Kosovë. Nuk mund të sillet qeveria ndaj mësuesve, arsimtarëve, mësimdhënësve e zyrtarëve publikë me këtë arrogancë të paparë ndonjëherë në historinë e vendit tonë”.

“Dyert e shkollave më 1 shtator në Kosovë i ka mbyllur Albin Kurti. Nuk i kanë mbyllur mësimdhënësit, sepse Albin Kurti si kryeministër i ka pasur të gjitha mundësitë që duke dialoguar me sindikalistët të gjejë zgjidhje, të ofrojë mundësi në këtë krizë të jashtëzakonshme ekonomike qe po e kalojnë të gjitha familjet e Kosovës, t’i ndihmojnë mësuesit tanë që t’ua lehtësojë barrën, ndërsa qeveria ka zgjedhur që sindikalistëve t’u thonë “nuk ua paguaj as pagat e muajit gusht. Mosekzekutimi i pagave është vepër penale, është shkelje ligjore”, tha ai.

I pari i PDK-së kërkoi nga qeveria t’i kthehet dialogut të mirëfilltë, t’i ftojë sindikalistet që të diskutojnë për një marrëveshje dhe t’i ekzekutojë pagat e zyrtarëve publikë, mësimdhënësve dhe të gjithë atyre që, sipas tij, janë duke u sanksionuar, penalizuar, diferencuar sikur në formën pothuajse të njëjtë sikur diferencimet politike të viteve ‘90.

Nëse kjo nuk ndodh deri në fillim të javës së ardhshme, Krasniqi tha se do të iniciojnë kthimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës dhe mbajtjen e një seance te jashtëzakonshme për të marr veprime të tjera të cilat do të mundësojnë, siç tha, kthimin e ligjshmërisë në këtë vend.

Ndërkaq Rrahman Jasharaj tha se Qeveria Kurti i ka sjellë deri në këtë pikë pasi vlerësoi që për nëntë muaj nuk arritën të ulen e të bisedojnë.

“Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë e të mos lejojmë që Kosova të kthehet në shtet diktatorial. Veprimet dhe tendencat e tilla janë që të shtypen dhe heshten sindikatat, e kur sindikatat janë të shtypura e të heshtura, atëherë nuk mund të flitet se një shtet është demokratik”.

“U kemi dërguar letër që të ulemi, sepse vetëm duke biseduar mund të bëjmë zgjidhje. Ne po kërkojmë dialog dhe i lus të gjitha partitë që të na ndihmojnë që të vijmë deri te ky dialog”, përfundoi Jasharaj.

SHARE