Vjedhje e rëndë në Pejë: Hajnat hyjnë në një shtëpi dhe marrin rreth 10 mijë euro para të gatshme

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Kështu e ka pësuar edhe një familje në Treboviq të Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se dje pasdite, persona të panjohura janë future brenda një shtëpie ku kanë arritur që të marrin para të gatshme në vlerë të 10 mijë eurove.

Me të shkuar në shtëpi, pronari ka vërejtur se paratë që i kishte lënë në dhomën e fjetjes nuk janë më aty, me ç’rast ka njoftuar Policinë se shtëpia e tij ka qenë cak i hajnave.

Njësitë policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë intervistuar viktimën, i cili ka deklaruar se nuk ka ndonjë person në të cilin dyshon se mund t’i ketë marrë paratë.

Nga ekzaminimet e kryera të Policisë, nuk është vërejtur se hajnat kanë përdorur forcë për të hyrë brenda hapësirave të shtëpisë, teksa janë vënë në lëvizje që t’i identifikojnë personat e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.