Lansohet platforma për shërbime komunale E-KOMUNAT

Në kuadër të portalit shtetëror është lansuar platforma për shërbime komunale E-KOMUNAT që në këtë fazë përfshin shërbimet administrative të lëshuara nga autoritetet komunale për qytetarët dhe bizneset, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Me këtë rast e falënderojmë International Financial Cooperation, agjenci kjo që funksionon në kuadër të Bankës Botërore në Kosovë për mbledhjen e të dhënave, analizimin dhe digjitalizimin fillimisht të shërbimeve administrative të Komunës së Prizrenit dhe Lipjanit për këtë fazë duke vazhduar me faza tjera ku do të përfshihen 38 komunat e Republikës së Kosovës”, thotë komunikata e MAPL-së.

“MAPL, gjithashtu falënderon dhe Zyrën për Planifikim Strategjik në kuadër të Zyrës së Kryeministrit dhe Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit për mbështetjen në arritjen e këtij objektivi strategjik afatgjatë të ministrisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”.

Ata kanë thënë se kjo platformë është objektivë strategjike dhe aktivitet brenda Programit për Parandalimin dhe Zvogëlimin e Barrës Administrative 2022-2027.

Sipas tyre, E-KOMUNAT parashihet t‘i ketë të digjitalizuara të gjitha shërbimet, aktivitete dhe procedurat komunale.