Vdes edhe një person nga koronavirusi në Skënderaj

Halit Haliti nga fshati Lubovec i komunës së Skënderajt, ka humbur jetën si pasojë e COVID-19.

Lajmin e ka bërë të ditur profesori universitar, Blerim Latifi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Sipas tij, i ndjeri i përket një familjeje të madhe të Drenicës dhe është pasardhës i Halit Bajramit, luftëtarit të famshëm të Lëvizjes Kaçake, i cili ra në betejë bashkë me pesë burra të familjes së tij.

Ky është njoftimi i tij i plotë:

Paska vdekë nga Covidi Halit Haliti nga Luboveci i Drenicës. Haliti i përket një familje të madhe të Drenicës, e cila në të gjitha përpjekjet për liri, gjatë shekullit XX, dha gjakun e sa e sa burrave të saj dhe kurrë nuk kërkoi grada e shpërblime. Haliti trashëgonte emrin e Halit Bajramit, luftëtarit të famshëm të Lëvizjes Kaçake, i cili në rrethimin e Zonës së Lirë të Azem Bejtës, i doli përpara ushtrisë serbe dhe ra në betejë bashkë me pesë burra të familjes së tij. Rapsodi popullor e përjetësoi aktin e tij heroik në vargjet e kangës:
Fort piskati Halit Bajrami,
N’tri katune iu ka ni zani,
Çou Azem, na rrethoi zhupani,
Vetë po u dal për mejdani.
Në luftën e fundit kjo familje sërish rroku armët dhe në ofensivën e madhe serbe të Çyçavicës me 22 Shtator 1998, ranë dy burra të saj, Murati dhe Enveri, i cili ishte profesor i letërsisë shqipe dhe aktivist politik në lëvizjen ilegale të viteve ’80.
Në foto: Kulla e Halit Bajramit.