Kosova shënon rritje të eksportit për 40 për qind

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës Adriatik Stavileci ka thënë se “Kosova ka shënuar rritje të eksportit të mallrave për 40 për qind, në dy muajt e parë të 2022-tës”.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës në janar dhe shkurt të këtij vitit, 128 milionë euro mallra janë eksportuar nga Kosova drejt vendeve të tjera, ai gjithashtu ka thënë se produktet të cilat importohen më së shumti janë derivatet, industria e automjeteve dhe e duhanit.

Stavileci ka deklaruar se “Kryesisht produktet të cilat importohen në aspektin e vlerës në Kosovë janë derivatet të cilat sjellin më së shumti të hyra, pastaj vijnë industria e automjeteve në përgjithësi dhe industria e duhanit. Këto janë tri produktet që sjellin më së shumti të hyra dhe kanë më së shumti vlera në fazat e importit”.

Stavileci ka thënë edhe se “Importi i përgjithshëm gjatë vitit të kaluar ne kemi pasur rreth 4.6 miliardë euro mallra të importuara në tërë territorin e Kosovës. Do të thotë kemi pasur lloje të ndryshme të mallrave të cilat janë futur në Kosovë”.

Ai poashtu sqaroi se trendi i mallrave të importuara ka mbetur i njëjtë, përveç që është vërejtur dallim në vlerë për shkak të rritjes së çmimeve.

“Tek importi mund të them se trendi i mallrave të cilat janë importuar apo vlerës së mallrave ka mbetur në suaza të njëjta me vitin e kaluar, përveç një dallimi se vlerat në import kanë shënuar rritje për shkak të rritjes së çmimeve në mbarë botën, derisa mund të ju them se në aspektin e peshës jemi pak a shumë rreth 500 milionë kilogramë kanë qenë të importuara vitin e kaluar për këtë periudhë përderisa tani prapë kemi rreth 500 milionë kilogram të importuara gjatë këtij viti. Pra trendi i sasisë është i njëjtë derisa trendi i vlerës ka shënuar rritje për shkak të shtrenjtimit të produkteve” ka thënë ai për EO.

Zëdhënësi doganor tutje thotë se “Rënia e importit është e ndërlidhur kryesisht me konsumin e brendshëm. Nëse ka rritje të konsumit, atëherë domosdoshmërish ka rritje të importit. Nëse kemi ulje të konsumit të brendshëm atëherë normalisht që do të ketë edhe rënie”.